Kriza energjetike në Ballkanin Perëndimor: Masat e ndërmarra në kohën e rritjes së çmimeve të energjisë

30 September 2022

Balkan Green Foundation (BGF), me mbështetjen e Heinrich Böll Stiftung (HBS), sot publikoi hulumtimin “Kriza energjetike në Ballkanin Perëndimor: Masat e ndërmarra në kohën e rritjes së çmimeve të energjisë”. Në këtë hulumtim u analizuan faktorët që ndikuan në krijimin e krizës energjetike, ndikimin tek shtetet e Ballkanit Perëndimor (BP), masat e ndërmarra nga qeveritë e BP kundrejt krizës si dhe u prezantuan rekomandimet kryesore për tejkalim të saj.

Një gërshetim i faktorëve të ndërlidhur ka krijuar një krizë energjetike të paprecedentë dhe të shumëfishtë në nivel global. Rimëkëmbja pas pandemisë çoi në një rritje të mprehtë të kërkesës për energji dhe e ngadalësoi përparimin në energjinë e ripërtëritshme. Rënia e kapaciteteve prodhuese për lëndët djegëse fosile në Evropë dhe vonimi i tranzicionit energjetik i shtoi edhe më tej këtij ekuacioni. Përveç kësaj, kushtet ekstreme të motit, të karakterizuara nga një verë e nxehtë dhe një dimër i ftohtë, e rritën edhe më shumë konsumin e energjisë dhe, më në fund, pushtimi rus i Ukrainës çoi në mungesën e mallrave energjetike, duke e përkeqësuar edhe më tej krizën. 

Hulumtimi gjen se: Rajoni i Ballkanit Perëndimor është një nga më të prekurit kur bëhet fjalë për ndjeshmërinë ndaj krizës energjetike. Kjo ndjeshmëri rezulton nga mungesa e diversifikimit të burimeve të energjisë, varësisë së madhe në termocentrale ndotëse dhe të stërvjetruara me thëngjill dhe si rezultat i importeve të larta të energjisë të cilat për shkak të krizës energjetike kanë arritur nivele rekorde. Çmimi i energjisë “Day Ahead” në Bursën Hungareze – HUPX, arriti në mbi 1047,1 EUR/MWh në muajin gusht të këtij viti. Duke i marrë parasysh këto trende, çmimet mund të rriten edhe më shumë këtë dimër, duke vështirësuar akoma më shumë situatën ekonomike dhe sociale të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe duke ngritur më tej inflacionin.

Në bazë të hulumtimit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, kanë rezultuar që janë ndër shtetet më të ndikuara nga kriza energjetike. Besfort Kosova, hulumtues në Balkan Green Foundation, theksoi se: 

“Numri i masave pasqyron thellësinë e krizës energjetike që e prek një vend, dhe jo medoemos sa proaktiv është një vend në miratimin e masave të reja për ta përmirësuar situatën. Ekziston një korrelacion i qartë ndërmjet masave të ndërmarra nga shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe të importit”.

Disa nga rekomandimet që dalin nga ky raport përfshijnë: avancimin e skemave të natyrës sociale për t’i mbështetur konsumatorët e varfër energjetik dhe për ta parandaluar dëmtimin e mëtejmë ekonomik për bizneset dhe industritë e caktuara; forcimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhur me krizën energjetike dhe krijimin e një sistemi interkonektiviteti më të mirë; rritjen e transparencës dhe cilësisë së informimit lidhur me krizën energjetike; si dhe angazhimin institucional drejt Agjendës së Gjelbër dhe Tranzicionit të drejtë energetik dhe largimin e burokracisë për investime në burimet e ripërteritshme të energjisë, si forma më e qëndrueshme drejtë dekarbonizimit.

Kliko këtu për të lëxuar publikimin e plotë mbi "Krizën energjetike në Ballkanin Perëndimor".