BGF organizon Takimin e dytë të Mëngjesit me fokus efiçiencën e energjisë në sektorin e ndërtimit në Kosovë

07 dhjetor 2021

Balkan Green Foundation (BGF), me mbështetjen e Fondacionit Heinrich Boll, organizoi për të dytën herë ‘Takimin e Mëngjesit’ me temën: "Efiçienca e Energjisë në sektorin e ndërtimit në Kosovë". Qëllimi i këtij takimi ishte shkëmbimi i informatave dhe ndërveprimi mes vendimmarrësve të nivelit qendror dhe lokal, si dhe ekspertëve tjerë relevant të fushës nga sektori privat, OShC-ve dhe donatorëve, për identifikimin e sfidave, dhe zhvillimin e hapave të nevojshëm për përmirësimin e gjendjes dhe standardeve në këtë sektor.

Rinora Gojani, Menaxhere e Programeve dhe Operacioneve në BGF, prezantoi gjendjen aktuale në Kosovë ku u tha se sektori i ndërtimit në vend karakterizohet nga mungesa e masave të efiçiencës së energjisë në pjesën më të madhe të ndërtesave (sidomos ato private). Gjithashtu, Rinora shpërfaqi tre pika kryesore që duhet të ndërmirren: “1. Identifikimin dhe regjistrimin e ndërtesave në tërë territorin e Kosovës dhe kategorizimin e tyre sipas kualitetit të ndërtimit, për të bërë një plan efektiv për intervenime; 2. Nevojitet një monitorim dhe inspektim i detajuar i implementimit të ligjeve dhe rregulloreve, në të gjitha llojet e ndërtesave te reja, si dhe intervenimeve në ato më të vjetra; 3. Duhet të ketë masa nxitëse fiskale dhe tatimore që paisjet e vjetra dhe që shpenzojnë energji të mos kenë mundësi që të tregtohen në vend, ndërsa objektet të çertifikohen me performancë të mirë të energjisë të paguajnë më lirë tatimin në pronë.

Diskutimi me të pranishmit reflektoi: mbi të arriturat nga investimet në masa të eficiencës ku zyrtarë nga Agjencia dhe Fondi për EE, u shprehën për sukseset në këtë sektor, sidomos në relacion me ndërtesat publike, ku pritet që shumica e ndërtesave publike deri në vitin 2023 të mbulohen me masa të efiçiencës së energjisë, falë mbështetjës financiare të brendshme dhe të donatorëve të huaj; nevojën për zbatimin e propozimeve të lartcekura nga BGF, dhe hapat e nevojshëm për zbatimin e Certifikatave të Performancës së Energjisë (CPE) dhe Kodit Unik të Ndërtimit i cili mungon në vend. Mungesa e koordinimit institucional dhe ndarja e qartë e kompetencave ndikon në mos-zbatimin e CPE-ve. Në mënyrë që kjo situatë të tejkalohet është me rëndësi që të ndryshohet një sërë ligjesh duke përfshirë ato që ndërlidhen me masat e efiçiencës së energjisë (si: Ligji për Performancën e Energjisë në Ndërtesa, Ligji për Efiçiencën e Energjisë) por edhe ato që ndërlidhen me pronën, pasi që ekziston një numër shumë i lartë i objekteve të palegalizuara. 

Zyrtarë nga MMPHI theksuan se Kodi i Ndërtimit asnjëherë nuk ishte finalizuar dhe si e tillë do vazhdojë të mungojë përshkak të mungesës së kapacitetit institucional për hartimin e një dokumenti të tillë, i cili kërkon të jetë mjaft i detajuar. Sidoqoftë, diskutimi theksoi faktin që çdo ndërtim në Kosovë duhet të i nënshtrohet Rregullativës Teknike e cila zbaton standardet e BE-së. 

Për më tepër, të pranishmit vunë theks në mungesën e vetëdijësimit shoqëror, dhe faktit që sjellja jonë kolektive nuk përkon me efiçiencën, e ky mentalitet duhet të ndryshojë!