BGF organizoi punëtorinë e dytë në kuadër të partneritetit Smarter Stoves

25 nëntor 2021

Të martën, më 23 nëntor, Balkan Green Foundation ka organizuar punëtorinë e dytë në nivel kombëtar në kuadër të partneritetit rajonal “Smarter Stoves” (shqip: Shporeta më të Mençur), i cili synon të krijojë një dialog publik mbi përdorimin e pajisjeve të vjetra dhe joefikase të ngrohjes në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe ndikimin që ka ky fenomen mbi mjedisin duke krijuar ndotje të ajrit.

Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të institucioneve publike të Kosovës dhe të organizatave ndërkombëtare të vendosura në Kosovë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të odave ekonomike ndërkombëtare që operojnë në Kosovë.

Takimi filloi me një prezantim nga Stevan Vujasinovic, Drejtor Ekzekutiv i RES Foundation mbi kornizën e projektit, mënyrën se si po zbatohet projekti në rajon. Ai gjithashtu prezantoi të dhëna që dalin nga disa nga hulumtimet e tyre të brendshme rreth përdorimit të energjisë nga familjet në vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor dhe krahasimi i këtyre të dhënave mes shteteve dhe rajoneve të ndryshme.

Edmond Çera nga IDRA Consulting prezantoi të dhëna nga hulumtimi i tyre mbi perceptimin e publikut për përdorimin e sobave për ngrohje dhe gatim gjatë dimrit dhe sesi publiku e percepton idenë e investimit në pajisje miqësore me mjedisin që mund të përdoren për ngrohje dhe gatim. Diskutimi vazhdoi me pjesëmarrësit të cilët u shprehën se është thelbësore të veprohet tani për rritjen e ndërgjegjësimit për ndotjen e ajrit të shkaktuar nga përdorimi i sobave të vjetra dhe mbështetjen e institucioneve publike për investimet e familjeve në pajisje që janë miqësore me mjedisin dhe ndihmojnë në uljen e konsumit të energjisë, veçanërisht gjatë stinës së dimrit.

Përfundimet nga punëtoria janë se institucionet publike duhet të veprojnë në sensibilizimin dhe krijimin e programeve që stimulojnë investimet në pajisjet miqësore me mjedisin që do t'i nxisnin qytetarët që t'i blejnë ato pajisje për ngrohje në shtëpitë e tyre.