'Bujqësia e qëndrueshme dhe mbrojtja e biodiversitetit' - Dita 3 e Konferencës së KSDW 2021

03 qershor 2021

Më datë 3 qershor 2021, Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW) vazhdoi me ditën e tretë të konferencës që trajtoi temën mbi bujqësinë e qëndrueshme dhe mbrojtjes së biodiversitetit.

Paneli diskutues me temën “Bujqësia e Qëndrueshme dhe Ruajtja e Biodiversitetit” u moderua nga Kaltrina Rexha, Koordinatore e Projektit në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe për panelistë pati Zëvendësministërin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Imri Demelezin, Profesorin Halil Ibrahimi nga Universiteti i Prishtinës, dhe Kryetar i Asociacionit të Bletarëve ‘Nucleus’ nga Graçanica, Mladen Dokic. Ndërkaq, virtualisht u lidh edhe Miran Vatovec nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.  

Moderatorja e panelit, znj. Rexha nga INDEP e nisi diskutimin me një përmbledhje të gjendjes aktuale mbi bujqësinë dhe biodiversitietin në vend. “Viteve të fundit, investimet në bujqësi dhe ndihma e shtetit ndaj këtij sektori janë shumëfishuar. Por, në anën tjetër, në Librin e Kuq të specieve, 86 lloje janë skajshmërisht të rrezikuara, 110 të rrezikuara, 60 të cenuara/ të përkeqësuara dhe 114 të rrezikuara”, tha znj. Rexha.

Nga MBPZHR, Zëvendësministri Demelezi nisi diskutimin me faktin se për të kuptuar fillimisht termin e zhvillimit të qëndrueshëm, duhet të kuptojmë se në çdo zhvillim potencial ekonomik duhet të inkorporohet edhe komponenta e mjedisit. Në këtë drejtim ai tha: “Qeveria Kurti ka integruar për herë të parë komponentën e gjithëpërfshirjes, pra përfshirjes të të gjithë hisedarëve përkatës në zhvillimin e politikave publike”. Zëvendëministri Demelezi tha se është me rëndësi të rishikojmë politikat, strategjitë e deritanishme dhe faktin se pse nuk ka rezultate deri tani. Në këtë drejtim, ndryshimi i ligjeve është pikënisje për progres në këtë fushë. “Ndryshimi i legjislacionit aktual në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër dhe me legjislacion e BE-së është çështje e rëndësishme”, përfundoi Zëvendësministri Demelezi.   

Z. Vatovec nga Zyra e BE në Kosovë u fokusua në Agjendën e Gjelbër e cila si një ndër komponentet me prioritet ka edhe biodiversitetin dhe bujqësinë e qëndrueshme. “BE-ja e ka me prioritet konsolidimin e këtyre temave dhe BE vazhdimisht avokon për përpilimin e dokumenteve strategjike që ndihmojnë zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre fushave”, tha z. Vatovec.

Profesori Ibrahimi nga Universiteti i Prishtinës u shpreh i lumtur që më në fund po trajtohet edhe tema e  biodiversitetit në Kosovë, sepse deri tani biodiversiteti në Kosovë nuk është diskutuar fare. “Biodiversiteti në Kosovë është shumë i pasur, ndoshta edhe prej më të pasurve në rajon dhe më gjerë. Duke qenë se biodiversiteti na rrethon dhe ka ndikim të madh në shëndetin e njerëzve, duhet të përpilohen politika e kauza mjedisore, gjithmonë duke u bazuar në të dhëna reale, e këto të fundit në Kosovë dukshëm mungojnë”, rekomadoi z. Ibrahimi. Sipas tij, përmirësimet arrihen vetëm nëse punimet shkencore të fushës merren në konsideratë dhe vihen në agjenda të politikbërësve.

Ndërsa, z. Dokic tha se duhet të monitorohen produktet vendore dhe të krijohen mekanizma institucional për të monitoruar produktet e kategorizuara bio që ne i përdorim. Tutje, ai shtoi se është me rëndësi që zëri i fermerëve të dëgjohet dhe të përfshihen si palë interesi në përpilimin e dokumenteve strategjike si buxheti, politika bujqësore etj. “Mes tjerash, ne duhet të ngrisim vetëdijen për jetesën e disa insekteve si bletët, të cilat janë të domosdoshme për ciklin e jetës dhe njerëzve. Gjithashtu, prioritar duhet të jetë edhe edukimi dhe vetëdijësimi i fermerëve rreth përdorimit të pesticideve”, tha z. Dokic.

Video e plotë e këtij diskutimi ndodhet në këtë vegëz.

Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW), organizohet që nga viti 2018 nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Zyra e Përfaqësuesit Special në Kosovë, GIZ, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Balkan Green Foundation (BGF). KSDW mbetet ngjarja e vetme më e madhe në Kosovë në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm. Edicioni i katërt i Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm (KSDW) 2021 mbahet prej datës 31 maj deri më 11 qershor 2021. Aktivitetet e sivjetme po organizohen paralelisht me EU Green Week.

Për më shumë, ndiqni KSDW në rrjete sociale në @KSDWeek dhe ksdw.rks-gov.net.