Rritja e Gjelbër Ekonomike nga Prizmi i të Bërit Biznes – Panel Diskutues nga BGF për nder të Ditës së Tokës

22 prill 2021

Sot, më 22 Prill, për nder të Ditës së Tokës, Balkan Green Foundation (BGF) organizoi panelin diskutues ‘Bizneset e Gjelbëra: E ardhmja e Ballkanit,’ diskutim i cili i dha theks të veçantë aplikimit të parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm në veprimtaritë biznesore, si dhe trajtimit të problemeve të ndryshimit të klimës dhe shndërrimit të ekonomive tradicionale në alternativa më të gjelbërta dhe më të qëndrueshme.

Ky panel, inspiruar nga puna disavjeçare e BGF në nivel rajonal në fushën e ndërmarrësisë së gjelbër, kishte për qëllim nxitjen e diskutimit në mes të përfaqësuesve rajonal nga sektori i biznesit, drejt arritjes së një vizioni të zhvillimit të qëndrueshëm duke sjellë anën e biznesit në ekuacion.

Pjesë e panelit diskutues ishin tre përfaqësuese gra të fushave të ndryshme nga rajoni, të cilat përveçse nënvizuan rëndësinë e ndërmarrësisë së gjelbër, në fokus të diskutimit vënë sfidat në lidhje me themelimin si dhe implementimin e bizneseve të gjelbëra dhe ndërmarrësisë së gjelbër në përgjithësi. 

Tanja Bjelanović, drejtoreshë e programeve në Trag Fondacija, Serbi, Adela Ramić, analiste e zhvillimit të biznesit në Fondacija Mozaik, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe Irina Toseva, stiliste nga Maqedonia e Veriut përbënë panelin diskutues, ndërmarrëse të cilat BGF i konsideron partnere në shtytjen përpara dhe promovimit të ndërmarrësisë së gjelbër në rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

Gjatë diskutimit, pjesëtaret e panelit theksuan se bizneset e gjelbëra janë tejet të rëndësishme sepse ato konsiderohen si mekanizëm shtytës për avancimin e agjendës së zhvillimit të qëndrueshëm. Tutje, u cek si element kyç bashkëpunimi rajonal si faktor kontribues drejt zhvillimit dhe avancimit të iniciativave të gjelbëra i cili mundëson shkëmbimin e përvojave dhe njohurive.

Ndër tjerash, u nënvizua edhe nevoja për përmirësimin e skemave nxitëse nga institucionet relevante por edhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit mbi themelimin e bizneseve të gjelbëra në rajon dhe të mirat që derivojnë nga ky sektor. Rëndësi e madhe iu kushtua qëndrueshmërisë si përpjekje që kërkon bashkëpunim ndërmjet bizneseve, qeverive dhe konsumatorëve, të cilët njëherish duhet të luajnë një rol gjithnjë e më aktiv në këtë fushë. Gjithashtu, u nënvizua roli i qytetarëve në shtytjen e vizionit të një të ardhmeje të gjelbër që kanalizon përpjekjet e bizneseve në zbatimin e principeve të zhvillimit të qëndrueshëm si bazament.

BGF vazhdimisht fokuson punën dhe aktivitetet në mbështejen dhe fuqizimin e ndërmarrësisë, ku ka inicuar programe si Balkan Green Ideas dhe Akademia e Gjelbër Ballkanike për mbështetjen dhe nxitjen e të rinjëve në ndërmarrjen dhe implementimin e ideve të gjelbëra.

Paneli u organizua në kuadër të Akademisë së Gjelbër Ballkanike, e cila mbështetet nga Balkan Trust for Democracy dhe USAID. Ngjarja shërbeu si event përmbyllës i edicionit të parë të kësaj Akademie.