BGF organizoi ligjeratën mbi “Opsionet e Gjelbërta Ekonomike, pas Covidit 19”

30 October 2020

Në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës dhe projektit “Promovimi i Energjisë së Gjelbër në Kosovë” i financuar nga GIZ Kosovë, Balkan Green Foundation organizoi ligjeratë mbi “Opsionet e Gjelbërta Ekonomike, pas Covidit 19”.

Ligjerata u mbajt nga Dardan Sejdiu dhe u zhvillua në bashkëpunim me Kolegjin Riinvest. Gjatë ligjeratës, Sejdiu u përqëndrua në zhvillimin ekonomik në periudhën pas COVID-19, duke nënvizuar nevojën për një perspektivë të re ekonomike të mbështetur në parimet e zhvillimit të qëndrueshëm. “Rimëkëmbja ekonomike nuk duhet të jetë një kthim në gjendjen para Covid-it, por duhet të jetë një mundësi për një tranzicion në një ekonomi të bazuar në ruajtjen e burimeve natyrore dhe trajtimin e problemeve kryesore të ndryshimit të klimës," deklaroi Sejdiu. Ai veçanërisht nënvizoi nevojën për të lëvizur nga struktura aktuale ekonomike, sistemi i furnizimit me energji të të cilit bazohet kryesisht në lëndët djegëse fosile dhe zhvendosjen drejt integrimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Sejdiu gjithashtu theksoi se ndërtimi i ekosistemit të ardhshëm ekonomik do të nxisë diskutime për përshpejtimin e dixhitalizimit të shërbimeve që u bë gjithnjë e më e dukshme në shumë industri pas shpërthimit global të Covid-19. "Meqë dixhitalizimi, automatizimi dhe inteligjenca artificiale, po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e pashmangshme e konstruktit tonë shoqëror, atëherë duhet të mendojmë se si ta trajtojmë rrjetin për mbrojtjen sociale", theksoi ai duke cekur gjithashtu rëndësinë e programeve qeveritare,  pagë bazike universale, veçanërisht në këtë trazirë të paparë ekonomike të sjellë nga pandemia e koronavirusit.

Për më shumë klikoni këtu