BGF lanson platformën e parë në Kosovë dedikuar ndërmarrjeve sociale
Jemi të lumtur të njoftojmë se Balkan Green Foundation, së bashku me partnerët tanë rajonalë lansuan 'Hartën e Ndërmarrjeve Sociale'. Ky mjet digjital është krijuar për të...
Sot, Balkan Green Foundation (BGF) organizoi me sukses Forumin e Parë mbi Dialogun Kombëtar për Efiçiencën e Energjisë dhe Energjinë e Ripërtëritshme. Ngjarja mblodhi një grup përfaqësuesish dhe folësish nga Ambasada Gjermane në Prishtinë, GIZ, Fondi i Kosovës për Efiçiencën e Energjisë (FKEE), Ministria e Ekonomisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, organizata të shoqërisë civile dhe komuniteti i biznesit.
Fjolla Qorri nga BGF prezantoi rekomandimet e dala nga raporti me titull "Ngritja e Efiçiencës së Energjisë në Kosovë." Raporti ofron një analizë të thellë të gjendjes aktuale të efiçiencës së energjisë në Kosovë, duke theksuar iniciativat e qeverisë, sfidat e hasura dhe mundësitë për t'u përafruar me objektivat e Komunitetit të Energjisë dhe BE-së për vitet 2030 dhe 2050. Ai nënvizon nevojën urgjente për kohezion ndërsektorial duke përshirë edhe arsimin, me ndërhyrje strategjike për të rritur qëndrueshmërinë, për të zvogëluar ndikimet ekonomike dhe mjedisore dhe për t'u përafruar me standardet ndërkombëtare të efiçiencës së energjisë.
Matthias Conrad, Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasadës Gjermane në Kosovë, diskutoi mbi rëndësinë e tranzicionit të energjisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai elaboroi mbi planet e investimeve të Qeverisë Gjermane dhe rolin e Partneritetit Rajonal për Klimën në zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, me qëllim mbështetjen e projekteve për efiçiencën e energjisë dhe energjinë e ripërtëritshme në rajon.
Driton Hetemi, Drejtori i Fondit të Kosovës për Efiçiencën e Energjisë, prezantoi të dhëna kyçe që tregojnë përparimet e rëndësishme në masat e efiçiencës së energjisë në Kosovë. Ai theksoi se FKEE ka zbatuar me sukses projekte të efiçiencës së energjisë në mbi 200 ndërtesa publike, duke sjellë kursime të konsiderueshme të energjisë dhe përmirësime të kushteve të brendshme. Këto projekte kanë kursyer kolektivisht mbi 10,000 MWh energji çdo vit dhe kanë reduktuar emetimet e CO2 me afërsisht 7,000 ton në vit. Përveç kësaj, iniciativat e FKEE në sektorin privat kanë rezultuar në kursime të energjisë të barabarta me konsumin vjetor të 2.000 familjeve.
Avni Sfishta nga GIZ foli për rëndësinë e programeve të efiçiencës së energjisë në ndërtesa. Ai theksoi mekanizmin unik të Kosovës për efiçiencën e energjisë dhe nënvizoi nevojën për legjislacion që kërkon etiketat e efiçiencës në pajisjet energjetike.
Forumi përfshiu një debat të gjallë me kontribute nga përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë (ME), Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit. ME dhe MMPHI theksuan sfidat përgjatë implementimit të masave efiçiente përmes thirrjeve për subvencione, duke vënë në pah rezultatet dhe ndikimin e tyre në sistemin e energjisë në vendin tonë. Diskutimet u përqendruan në zhvillimin e iniciativave për efiçiencën e energjisë, sfidat dhe mundësitë që këto përpjekje paraqesin dhe ndikimin e tyre në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë.
Në përfundim të forumit, pjesëmarrësit ranë dakord mbi nevojën për të mbajtur të hapur dialogun. Këto forume ofrojnë një platformë për përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, organizatat ndërkombëtare, bizneset dhe shoqërinë civile për të mbledhur, shkëmbyer informacione dhe ndarë ide.
Bazuar në kontributet nga Forumi, BGF do të plotësojë analizën e draftuar dhe do të publikojë versionin përfundimtar në ditët në vijim.
Forumi u organizua në kuadër të projektit “Tranzicioni energjetik dhe dekarbonizimi në Ballkanin Perëndimor“ me mbështetjen e Ministrisë Federale Gjermane për Zhvillim Ekonomik (BMZ).