PËRFUNDOI ME SUKSES “TURNEU I DEBATIT TË GJELBËR”

25 May 2022

Mbi katërdhjetë (40) nxënës të shkollave të mesme nga komuna e Ferizajt, Lipjanit, Mitrovicës së jugut, Pejës dhe Prishtinës morrën pjesë në “Turneun e Debatit të Gjelbër” që u zhvillua në datat 21, 22 dhe 24 maj. Gjatë fundjavës së 21 dhe 22 maj, u mbajtën rundet preliminare dhe gjysmëfinalja në Gjimnazin “Xhevdet Doda”- Prishtinë, për të vazhduar më tej në finalen e mbajtur më 24 maj në KINO Armata. Në finale debatuan katër ekipe nga komuna e Pejës dhe Prishtinës rreth temës: “Kjo shtëpi do të vendoste taksë ambientaliste për kompanitë e modës së shpejtë (fast-fashion)”. Fitues të turneut u shpallën ekipi Debatable nga Gjimnazi “Bedri Pejani”- Pejë, shkollë e cila do të shpërblehet gjithashtu një investim në panele solare në vlerë prej 4000$. 

“Turneu i debatit të gjelbër” u organizuar në formatin e strukturuar të debatit “British Parliamentary” (Parlamentit Britanik), format i përdorur nga universitetet më prestigjioze në botë, duke qenë edhe një ndër metodat më të njohura të zhvillimit të mendimit kritik përmes edukimit joformal. Të rinjtë përmes projektit në përgjithësi, forcuan aftësitë e tyre në të menduar kreativ dhe kritik, duke u trajnuar në këtë format të debatit, dhe duke marrë pjesë në turneun e organizuar për ta. Turneu i debatit u fokusua më shumë në të debatuarit të temave që ndërlidhen me probleme ambientaliste, për të rritur ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e mbrojtjes së ambientit, duke u bërë kështu vetë aktivistë të gjelbër.

Ky projekt realizohet me mbështetjen financiare të UNMIK-ut dhe implementohet nga Balkan Green Foundation.