Shpallja e ekipeve fituese në kuadër të projektit RISE Journey 3.0 - Faza e ideimit

02 March 2023

Më 1 mars, Balkan Green Foundation organizoi “Ditën Demo” në kuadër të projektit RISE - Inkubatori Rajonal për Sipërmarrësit Socialë. Kjo ngjarje shërbeu si një mundësi për sipërmarrjet inovative që janë të përkushtuara për zgjidhjen e problemeve sociale dhe mjedisore, prezentimin e zgjidhjeve të tyre për këto probleme, rrjetëzimin me individë me mendësi të njejtë, sigurimin e fondeve dhe vazhdimin e rrugëtimit të tyre për të ndërtuar prototipin e biznesit, të ofruar në fazën e inkubacionit. 

Për të siguruar një përgatitje më të mirë për këtë ngjarje dhe për të formësuar idenë e tyre, sipërmarrësit ndoqën gjithsej 10 trajnime, 15 sesione individuale një-me-një dhe 5 seanca mentorimi rreth temave të rëndësishme si Hulumtimi i Tregut, Propozimi i Vlerës së Misionit Social, Buxheti dhe Çmimet, dhe Matja e Ndikimit dhe Arti i Prezentimit.

Në këtë Ditë Demo, pesë (5) grupe të ndryshme të sipërmarrësve socialë prezantuan idetë e tyre përpara një paneli gjyqtarësh, i cili vlerësoi ekipet në katër fusha: (i) përbërjen dhe zhvillimin profesional të ekipit, si dhe motivimi i tyre, (ii) problemi i identifikuar dhe zgjidhja e ofruar, (iii) ndikimi pozitiv duke pasur parasysh hapësirën ndikuese të përfituesit dhe (iv) hapat e ardhshëm të zhvillimit të ekipit për t'u transformuar në sipërmarrje të suksesshme sociale.

Pas vlerësimit të jurisë, ekipet e përzgjedhura për të kaluar në fazën e inkubacionit ishin: “Panacea” dhe “ReUse”.

  1. Panacea është e inkurajuar të punoj për fuqizimin e grave të cilave u mungon formimi profesional dhe arsimor, duke krijuar një fermë aloe vera që ofron produkte dhe shërbime nga kjo bimë.
  2. ReUse me filamentet e printimit 3D dëshiron të përmirësojë mjedisin duke reduktuar mbetjet dhe ndotjen, duke ruajtur burimet dhe duke rritur ndërgjegjësimin duke promovuar praktika të qëndrueshme.

Dy ekipet e përzgjedhura u shpërblyen me 2,500 € nga projekti RISE 3.0, të cilët do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre për katër muajt e ardhshëm, për të fituar mbështetje të mëtejshme për zhvillimin e ndërmarrjeve të tyre sociale.

Aktivitetet e Inkubatorit Lokal - RISE po zbatohen nga gjashtë aktorë nga rajoni: Balkan Green Foundation (Kosovë); ARNO (Maqedonia e Veriut); Nešto Više (Bosnjë dhe Hercegovinë); Smart Kolektiv (Serbi); IPC Tehnopolis (Mali i Zi); dhe Yunus Social Business Balkans (Shqipëri).

Konsorciumi dhe Mbështetësit - Ky projekt mbështetet nga Agence Française de Développement, Bashkimi Evropian dhe Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor dhe është zhvilluar dhe monitoruar nga Konsorciumi i përbërë nga RYCO, PULSE, SEEYN dhe OFAJ DFJW. 

Për të mësuar më shumë rreth RISE - Inkubatori Rajonal për Sipërmarrësit Socialë, klikoni këtu.