Një histori suksesi në zemër të Hasit

27 September 2021

Mbahet panairi ndërkufitar njëditor për Natyrë, Folklor dhe Kulinari në Komunën e Hasit në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, në kuadër të projektit “Green Cross – Kapërcimi i Gjelbërt, drejt ekonomive të gjelbërta vendore nëpërmjet investimeve inteligjente” – projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Bashkia Has, Komuna Klinë dhe duke u implementuar nga Balkan Green Foundation në Kosovë dhe Qenda Eden në Shqipëri. 

Në këtë Panair u mblodhën udhëheqës të lartë të institucioneve lokale të të dyja krahinave të binjakëzuara në këtë projekt, pjesëmarrës të shumtë nga zona e Hasit dhe përfaqësues nga Komuna e Klinës dhe pjesëmarrës në panair nga Klina duke ekspozuar produktet e tyre.  

Panairi u përcoll me një atmosferë të ngrohtë dhe entuziaste të krijuar nga një program i pasur kulturor organizuar nga Qendra Mjedisore “Eden” dhe Bashkia Has.

Në këtë panair pjesëmarrësit patën rastin që të shkëmbenin përvoja, ide, produkte dhe të krijonin mundësi për bashkëpunim dhe fuqizim të vlerave kulturore dhe turistike të zonës së Hasit dhe Klinës.

Për më tepër, pjesëmarrësit fermerë, bletarë dhe artizanë ekspozuan produktete e tyre dhe biseduan për krijimin potencial të bashkpunimeve konkrete ekonomike për të ardhmen, duke ndikuar kështu në rritje të qëndrueshme, komponentë e rëndësishme e vet këtij projekti.