Zhvillimi i frymës avokuese te inxhinierët e rinj në fushën e energjisë së ripërtëritshme

24 April 2024

Në një përpjekje për të frymëzuar një tranzicion të drejtë drejt një burimi energjie të qëndrueshëm, Balkan Green Foundation, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) po zbaton projektin ‘Solar Collab’. Ky projekt synon të mobilizojë të rinjtë nga Komuna e Prishtinës për të promovuar një mentalitet avokues për energjinë e ripërtëritshme, për të ndihmuar në ruajtjen e mjedisit tonë.

Një nga aktivitetet kyçe të projektit, që u zhvillua javën e kaluar në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës ishte trajnimi ‘Bazat e energjisë diellore’. Në këtë trajnim, rreth 20 studentë nga fusha e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, si dhe Inxhinierisë Mekanike, morën pjesë për të rritur kapacitetet e tyre në fushën e energjisë diellore, duke përqendruar veçanërisht vëmendjen në procesin e instalimit të paneleve fotovoltaike.

Një prej pjesëmarrësve, Arnisa Sejdiu, studente në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, e përshkroi trajnimin si një mundësi të shkëlqyer për të thelluar njohuritë e saj në këtë fushë. “Me zhvillimin e energjisë diellore në Kosovë dhe mungesën e mundësive për të mësuar për këtë temë gjatë studimeve, trajnimi ishte pikërisht ç'kërkoja. Pjesa praktike ishte e veçantë dhe u lidh shkëlqyeshëm me teorinë. Për shkak se kjo tematikë është e gjerë dhe nevoja e studentëve është e madhe, duhet të shtohen trajnime të tilla që na lejojnë të hyjmë në thellësi të botës së energjisë së ripërtëritshme”. Vait Gashi po ashtu student inicojë përshtypjen që kanë trajnerët e kualifikuar në përçimin e njohurive tek gjeneratat tjera. “Zgjodha të marr pjesë në trajnim për të zgjeruar njohuritë në këtë fushë. Përshtypje më la trajneri i kualifikuar i cili kishte përvojë të thellë në fushën tonë dhe një standard të lartë profesional si inxhinier. Besoj se ky trajnim do të jetë i dobishëm për mua në të ardhmen, veçanërisht për faktin që janë adresuar disa pika që shpesh shpërfillen.”

Ky aktivitet synon të forcojë lidhjet midis sektorit publik dhe tregut të punës. Pjesëmarrësit e suksesshëm do të kenë mundësinë për t'u përfshirë në punë praktike në kompaninë e njohur Elen, kompani lidere në fushën e energjisë solare në Kosovë. Kjo ofron një mundësi të rëndësishme për studentët për të përshpejtuar zhvillimin e tyre dhe për të vazhduar rrugëtimin e tyre të mësimit në fushën e energjisë së rinovueshme.

Përgjatë muajit maj, do të organizohet një trajnim i ngjashëm për një grup të caktuar që synon të përfshijë nxënësit e shkollave të mesme elektroteknike në Prishtinë. Çfarë e bën të veçantë këtë trajnim është se do të drejtohet nga studentë të universitetit të Prishtinës. Këta studentë do të ndajnë njohuritë e tyre të fituara gjatë trajnimeve të mëparshme me nxënësit e shkollës së mesme.