BGF lanson platformën e parë në Kosovë dedikuar ndërmarrjeve sociale

03 May 2024

Jemi të lumtur të njoftojmë se Balkan Green Foundation, së bashku me partnerët tanë rajonalë lansuan 'Hartën e Ndërmarrjeve Sociale'.

Ky mjet digjital është krijuar për të përmirësuar ekosistemin e sipërmarrjes sociale në vendet pjesëmarrëse të përfshira në platformë dhe për të mbështetur të rinjt duke inkurajuar pjesëmarrjen e tyre aktive dhe duke nxitur një mentalitet sipërmarrës.

Platforma është kulmi i një projekti dyvjeçar të titulluar 'Road Map of Social Enterprises'. Gjatë kësaj periudhe, BGF ka përfshirë më shumë se 10 ndërmarrës të rinj në aktivitete të ndryshme të projektit, duke përfshirë hulumtimin e peizazhit të ndërmarrjeve sociale të Kosovës dhe promovimin e shërbimeve dhe produkteve të tyre. Përkundër sfidave të hasura në angazhimin e ndërmarrjeve sociale funksionale në Kosovë, ne kemi nxitur me sukses bashkëpunimin dhe kemi lehtësuar regjistrimin e rreth 15 ndërmarrjeve sociale.

Kimete Arifaj, një nga kontribueset në zhvillimin e kësaj platforme, theksoi rëndësinë e platformës. Ajo tha se ndërmarrësia sociale është ende një koncept i ri në Kosovë, duke e bërë platformën edhe më të nëvojshme. Sipas saj, “jo vetëm që lehtëson promovimin e punës së sipërmarrjeve sociale, por shërben edhe si një mjet rrjetëzimi, duke shfaqur përpjekjet dhe angazhimin e tyre jo vetëm në rajon, por edhe në një shkallë më të gjerë”.

Me rastin e zbatimit të Ligjit për Ndërmarrjet Sociale të nëntorit  të vitit 2023, BGF synon të targetoj më shumë ndërmarrësi për regjistrim, duke rritur dukshmërinë dhe duke njohur kontributin e tyre në shoqërinë kosovare.

Pyetja më të parashtruara:

Si mund të hyjmë në këtë platformë? Ju mund të vizitoni platformë përmes këtij linku. Mos ngurroni ta eksploroni!

Dua të regjistroj ndërmarrjen time sociale në këtë platformë. Cilat janë hapat? 1) Klikoni në opsionin 'log in' për të krijuar një llogari; 2) Vizitoni opsonin "add a social enterprise/shto një ndërmarrësi sociale"; 3) Plotësoni detajet e nevojshme në formularin e dhënë; 4) Prisni miratimin nga ekipi i mbështetjes teknike.

Nëse hasni ndonjë problem, ju lutem mos hezitoni të na kontaktoni në emailin: info@balkangreenfoundation.org.

Projekti "Road Map of Social Enterprises" u mbështet nga programi "Erasmus Plus" dhe u zbatua nga Balkan Green Foundation në partneritet me Aleancën Rinore - Krushevë, IDEA, Koalicioni për Zhvillim Ekonomik Solidar, Qendra e Biznesit Studentor, Agjencia për Zhvillimin e Ndërmarrjeve - EDA, Rinia për Ndryshime Sociale, dhe Rinia Aktive e Florinës.