Ndërtimi i një platforme rrjetëzuese për ndëmarrjet sociale në regjionin e Ballkanit

02 December 2022

Balkan Green Foundation (BGF) po bashkëpunon me 7 partnerë të rajonit (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Greqia) në projektin më të ri “Hartëzimi i Ndërmarrjeve Sociale”, projekt i cili do të zgjas 24 muaj.   

Objektivi kryesor i projektit është të kontribuojë në krijimin e një mjedisi mbështetës për ndërmarrjet sociale duke zhvilluar një mjet të qëndrueshëm, një hartë për rrjetëzim, e cila do të përdoret për shkëmbim të njohurive rreth sipërmarrjes sociale. Përveç kësaj, platforma do të nxit bashkëpunimin ndërsektorial; mbështet bashkëpunimin ndërmjet projektit dhe vendeve partnere si dhe zhvillimin e nismave të reja të projekteve që adresojnë papunësinë e të rinjve dhe zhvillimin e përspektivës së sipërmarrësve të rinjë.

Përgjatë datës 24 - 29 nëntor, rreth 24 të rinjë nga vendet pjesëmarrëse të projektit, u mblodhën në Krushevë të Maqedonisë së Veriut për të dhënë kontributin e tyre në ndërtimin, përmbajtjen dhe funksionimin e platformës. 

Përveç këtij aktiviteti, partnerët tanë janë duke hulumtuar situatën aktuale në fushën e ndërmarrësisë sociale përmes intervistave me ndërmarrës social, mbështetës të ekosistemit të ndërmarrjeve sociale si dhe ekspertë të komunikimit, e cila do të shërbejë në përmbledhjen e rekomandimeve të cilat do të merren parasysh gjatë procesit të ndërtimit të platformës, promovimin të saj si dhe në qëndrueshmërinë e saj. 

Projekti “Hartëzimi i Ndërmarrjeve Sociale” mbështetet nga programi “Erasmus Plus” dhe implementohet nga organizata udhëheqëse: Aleanca Rinore - Krushevë (Maqedonia e Veriut) me partnerë: Balkan Green Foundation (Kosovë); Koalicioni për Zhvillim Ekonomik Solidar (Serbi); Qendra e Biznesit Studentor (Mali i Zi); Agjencia për Zhvillimin e Ndërmarrjeve – EDA (Bosnjë dhe Hercegovinë); Rinia për Ndryshime Sociale (Shqipëri); dhe Rinia Aktive e Florinës (Greqi).