Forumi Rinor i Ballkanit Perëndimor i Procesit të Berlinit 2.0

10 November 2022

Nga 31 tetori deri më 3 nëntor 2022, Lirika Raça - Koordinatore e Projektit në Balkan Green Foundation, mori pjesë në Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor të Procesit të Berlinit me rolin e përfaqësimit të çështjeve rinore dhe për të dhëne kontribut në shkrimin e të Deklaratës së Berlinit të Forumit Rinor të Ballkanit Perëndimor.

Ngjarja mblodhi më shumë se 70 të rinj nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor përfaqësues të një game të gjerë aktorësh përgjegjës për çështjet rinore, duke përfshirë organizata ombrellë rinore të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, strukturat rinore në nivel të BE-së, institucione, OJQ, aktivistë të rinj dhe ekspertë të lidhur me temat rinore. Çështjet kryesore të forumit ishin demokratizimi dhe edukimi qytetar, paqja dhe siguria, rinia, agjenda e gjelbër, siguria energjetike si dhe ekonomia sociale dhe solidariteti.

Seancat e ngjarjeve u ndoqën në ambiente historike të rëndësishme të Berlinit, si Deutscher Bundestag, European House - Berlin dhe Alte Munze, punishtja e vjetër ku u bënë monedhat e para euro. Seancat e panelit përfshinin njerëz të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor si Viola von Cramon - raportuese e Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin - i dërguari special për Ballkanin Perëndimor, Birgit Schmeitzner - Zëdhënëse e Komisionit Evropian në Gjermani, Thomas Kruger - President, Agjencia Federale për Edukim Qytetar, Albert Hani - Sekretar i Përgjithshëm i RYCO, Pranvera Kastrati - RCC, Zdravko Ilic - CEFTA dhe Benedetta Scuderi - Zëdhënëse, Federata e të Gjelbërve të Rinj Evropianë.

“Ne mund të jemi të lumtur dhe mirënjohës që Procesi i Berlinit më në fund u mor përsipër në krahasim me të gjitha iniciativat e tjera konkurruese si iniciativa e Ballkanit të Hapur dhe shumë të tjera. Së fundi, ne kemi një qeveri këtu në Berlin që kupton dhe zbaton hapat e mëtejshëm, të cilët ndonjëherë anashkalohen paksa në rajon. Duken si hapa të vegjël, por me të vërtetë thjeshtojnë jetën e përditshme të njerëzve në rajon”, tha Viola Von Cramon.

“Është detyrimi ynë që të sigurojmë një pozicion më të mirë të të rinjve në Ballkanin Perëndimor dhe të përdorim motivimin e tyre për të mbështetur integrimin e rajonit në BE”, tha z. Hani.

Më tej, të rinjtë vazhduan hartimin e Deklaratës së Berlinit të Forumit Rinor të Ballkanit Perëndimor, e cila u fokusua në tre fusha kryesore I. Drejt Demokracive Rezistente që përfshijnë zërat e të rinjve, II. Rritja e sigurisë dhe paqes gjithëpërfshirëse në kohë lufte dhe III. Sigurimi i Jetesës së Qëndrueshme për të ardhmen e planetit tonë dhe deklarata iu prezantua përfaqësuesve të qeverive dhe BE-së gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor.

Forumi Rinor i Ballkanit Perëndimor i Procesit të Berlinit 2022 organizohet nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor në partneritet me Crossborder Factory. Forumi mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme Gjermane, projekti i Laboratorit Rinor të Ballkanit Perëndimor i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe një projekt rajonal i financuar nga Asistenca Teknike e Bashkimit Evropian (BE) për Organizatat e Shoqërisë Civile në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi (TASCO).