Shpallen dy ekipet fituese të Fazës së Ideimit të Rrugëtimit RISE 2.0

15 February 2022

Më 10 shkurt, Balkan Green Foundation organizoi “Demo Day” në kuadër të projektit RISE - Regional Incubator for Social Entrepreneurs. Në këtë ngjarje të mbajtur virtualisht, pesë ekipet pjesëmarrëse prezentuan idetë e tyre inovative tek juria e pavarur, duke shpjeguar më specifikisht procesin e zhvillimit të ideve që nga fillimi i fazës së Ideimit.

Juria ka vlerësuar ekipet pjesëmarrëse të “Demo Day” në katër fusha: (i) përbërjen dhe zhvillimin profesional të ekipës, si dhe motivimin e tyre, (ii) problemin e identifikuar dhe zgjidhjen e ofruar, (iii) ndikimin pozitiv duke marrë parasysh hapësirën ndikuese të përfituesit, dhe (iv) hapat e ardhshëm të prezantuar në zhvillimin e ekipës për të u transformuar në sipërmarrje sociale të suksesshme.

Pas përfundimit të vlerësimit të jurisë, ekipet të cilat u përzgjodhën si fituese për të vazhduar në fazën e Inkubimit janë: “35 shkallë” dhe “Eco Solution”.

“35 shkallë” synon që të plasoj në treg një ulëse tualeti që pozicionon trupin duke u ulur në mënyrë natyrale dhe të rehatshme, që parandalon dhe shëron sëmundjet sikurse kolit, apendiciti, hemorroidet, kapsllëku, dhe kancerit të zorrës së trashë. Ndërsa, “Eco Solution” synon që përmes idesë së tyre të ndikojnë në zvogëlimin e mbeturinave ushqimore dhe ripërdorimin e tyre si pleh natyral duke zhvilluar procesin e kompostimit.

Të dy ekipet e përzgjedhura u shpërblyen me 2.500 € nga projekti, për të vazhduar mëtutje rrugëtimin e tyre për gjashtë muajt e ardhshem, për të fituar mbështetje në zhvillimin e sipërmarrjes së tyre sociale.

Projekti RISE - Inkubatori Rajonal për Sipërmarrësit Socialë - beson se të rinjtë në Ballkanin Perëndimor janë të talentuar, plot me ide inovatore dhe të etur për t'i arritur ato. Kjo është arsyeja pse ne duam të mbështesim idetë e sipërmarrjes sociale që do ta bëjnë rajonin një vend më të mirë.

RISE mbështet krijuesit e rinj të ndryshimeve në zhvillimin e ideve të tyre me ndikim në bizneset sociale të qëndrueshme.

Balkan Green Foundation është një nga gjashtë inkubatorët lokalë përgjegjës për zbatimin e aktiviteteve RISE brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor.