Është mbajtur trajnimi i katërt në kuadër të projektit Kapërcimi i Gjelbër

22 December 2021

Balkan Green Foundation dhe Qendra EDEN zhvilluan trajnimin e katërt për ngritjen e kapaciteteve në kuadër të projektit ndërkufitar “Kapërcimi i Gjelbër – Drejt ekonomive të gjelbra vendore me investime të zgjuara”.

Trajnimi i katërt u mbajt në Has dhe u fokusua në ndikimin e ekonomisë së gjelbër në rritjen ekonomike dhe masat praktike që mund të ndërmerren nga komunat (Has dhe Klinë) për të qenë në përputhje me parimet e sistemeve të qëndrueshme ekonomike.

Trajnimi u organizua në tre sesione. Sesioni i parë trajtonte analizën teorike të situatës, analizën e palëve të interesit, vlerësimin e mundësive, hartimin e planeve të veprimit dhe strategjive për zhvillimin e ekonomive të tyre lokale bazuar në konceptet e ekonomisë së gjelbër. Ndërsa sesioni i dytë vazhdoi me zbatimin praktik të këtyre veprimeve, nga ana se si do të implementoheshin këto veprime, nga kush dhe me çfarë kostoje dhe deri në realizimin përfundimtar. Ndërsa sesioni i tretë vazhdoi me shembuj nga vende të tjera, dhe si këto përvoja mund të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të komunave të projektit në kontekstin lokal.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me realitetet e të dyja komunave si rezultat i investimeve konkrete që janë bërë në Komunën e Hasit dhe Klinës, në kuadër të projektit. Investimet parashikojnë kursim të energjisë deri në 30%, që mund të krijojë linja të reja buxhetore. Një model i tillë vë në praktikë pjesën teorike të trajnimit dhe bën të kuptueshme përfitimet ekonomike që vijnë nga investimet e zgjuara, të cilat si rrjedhojë çojnë edhe në një ekonomi të gjelbër.

Në Has është ndërruar ndriçimi i jashtëm rrugor me llamba efikase LED që kursejnë energji, ndërsa në Klinë është investuar me panele diellore për shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme dhe për gjenerimin e energjisë.

Projekti "Kapërcimi i Gjelbër - drejt ekonomive të gjelbra lokale me investime të zgjuara" mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Balkan Green Foundation dhe Komuna e Klinës në Kosovë dhe nga Qendra Mjedisore EDEN dhe Bashkia e Hasit dhe në Shqipëri.