Vizitë studimore në Priboj

23 November 2021

Studimi i dytë i projektit Green Rural Deal u organizua nga Komuna e Pribojit dhe Fondacioni RSE. Vizita studimore u zhvillua në Beograd dhe Priboj, nga data 15-18 nëntor. Temat kryesore te diskutimit ishin transformimi dhe hapat e ardhshëm që duhet të ndërmarrin komunat për të siguruar një zgjidhje më të qëndrueshme për një ekonomi me karbon zero.

Vizita studimore në Serbi tërhoqi pjesëmarrës nga një gamë e gjerë fushash. Ekspertët e pushtetit lokal, palët kryesore të interesit komunal nga Kamenica, Priboj dhe Maqedonia Perëndimore të shoqëruar nga anëtarë të projektit Green Rural Deal. Qëllimi i vizitës studimore ishte zhvillimi i mjeteve të projektit dhe ndërmarrja e hapave të ardhshëm në identifikimin e sfidave dhe strategjive të përbashkëta për një transformim të qëndrueshëm dhe të zgjuar në komunat e përzgjedhura.

Dita e parë u mbajt në Beograd, ku sesioni u mbajt nga Balkan Green Foundation. Sesioni filloi me një raund prezantimesh, të ndjekur nga Znj. Rinora Gojani, Menaxhere në BGF, duke bërë një prezantim rreth gjendjes aktuale të projektit dhe rezultateve të tij. Tre ekspertë nga secili vend pjesëmarrës u ftuan për të shprehur pikëpamjet e tyre mbi atë se çfarë projekti dhe politikat e tij duhet të ofrojnë për të nxitur në mënyrë të qëndrueshme tranzicionin e suksesshëm në terren.

Seanca e ditës së dytë u mbajt në Priboj. Sesioni i dytë u udhëhoq nga Asociacioni i Pushtetit Lokal të Maqedonisë Perëndimore dhe u fokusua në mjetin e vlerësimit, i cili është paraparë të përdoret për vlerësimin e projekteve para zbatimit të tyre në komuna të ndryshme. Pas takimit, Fondacioni RES organizoi një vizitë në termocentralin e vogël ekzistues të ngrohjes me biomasë si dhe në termocentralin e ri të ngrohjes me biomasë, i cili ka një kapacitet prej 1.8 MW dhe që është lansuar së fundmi nga Komuna e Priboj.

Projekti Green Rural Deal mbështet komunat në rajone për të ndërtuar kapacitetet e tyre transformuese dhe për të zhvilluar zgjidhje të përshtatshme për një ekonomi me karbon zero. Projekti mbështetet nga Iniciativa Evropiane për Klimën (EUKI) e Ministrisë Federale për Mjedisin, Ruajtjen e Natyrës dhe Sigurinë Bërthamore (BMU).