BGF PJESË E PANELIT ‘NDËRMARRËSIA E QËNDRUESHME NË KOSOVË‘ NË KUADËR TË JAVËS GLOBALE TË NDËRMARRËSISË NË KOSOVË

10 nëntor 2021

Balkan Green Foundation (BGF), mori pjesë në panelin e diskutimit ‘Ndërmarrësia e Qëndrueshme në Kosovë‘, organizuar nga Oda Amerikane e Kosovës në kuadër të aktiviteteve të Javës Globale të Ndërmarrësisë në Kosovë.

Shpend Mustafa, Kordinator i Projekteve në BGF, diskutoi lidhur me rëndësinë e mbështetjes institucionale për bizneset e reja në Kosovë, dhe shpalosi detaje nga puna e BGF e cila ndihmon në ekosistemin e zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë dhe më gjerë.

Ky panel mblodhi akterë të ndryshëm të cilët ndanë eksperiencat, kontributin dhe idetë e tyre se si mund ta përmirësojmë ndërmarrësinë e qëndrueshme në Kosovë.

Shpendi, prezantoi dy nga projektet e BGF lidhur me ndërmarrësinë sociale, të cilat kanë dëshmuar kontribut të madh për ndërmarrësitë e rinjë në Kosovë, rajonet e Ballkanit Perëndimor dhe Greqinë. ‘Balkan Green Ideas (BGI) është programi i vetëm në rajon i cili stimulon dhe inkurajon të rinjët  që të jenë ndërmarrës ambicioz, duke u fokusuar që idetë e tyre fillimisht të kenë impakt pozitiv për mjedisin dhe shoqërinë’ tha Shpendi. Ai gjithashtu prezantoi projektin e dytë  të BGF, Inkubatori Rajonal për Ndërmarrësit Social (RISE) – i cili mbështet të rinjët që bëjnë ndryshime   në zhvillimin e ideve të tyre me ndikim në biznese sociale të qëndrueshme, duke mentoruar, trajnuar dhe mbështetur financiarisht për ideimin, prototipin, dhe implementimin e ndërmarrjes së tyre sociale.

Lidhur me veprimet institucionale që duhet të mirren në Kosovë, Shpendi tha se ‘janë dy veprime të cilat duhet të ndërmerren në mënyrë të menjëhershme: 1. Të sigurohet që politikat të përputhen me praktikat më të mira të qëndrueshme, dhe 2. Të mbështeten sipërmarrësit e rinj që po ideojnë biznese fillestare që përfshijnë praktika të qëndrueshme mjedisore dhe sociale në operacionet e tyre.

Paneli arriti në përfundimin se: (i) janë një sërë sfidash, por, dy më të rëndsishmet janë infrastruktura dhe pozicionimi i produktit në treg; (ii) ka nevojë për veprime të menjëhershme nga të gjithë akterët në lidhje me qëndrueshmërinë; (iii) investimet e qëndrueshme duhet të fillojnë menjëherë nga institucionet publike dhe të ndiqen nga kompanitë dhe sjellja e konsumatorëve.