BALKAN GREEN FOUNDATION PJESË E PANELIT NË KUADËR TË COP26

08 November 2021

Më 5 nëntor, Menaxherja e Programeve dhe Operacioneve në Balkan Green Foundation, Rinora Gojani ishte pjesë e panelit në kuadër të COP26: “Zërat nga rajoni: shkëmbimi i eksperiencave të dorës së parë të fazës së daljes nga qymyri në Evropë dhe më tej”.

Ky panel mblodhi së bashku akterët ndërkombëtar të cilët janë të përfshirë në tranzicionin e qymyrit nga rajone të ndryshme të qymyrit. Ekspertët dhanë perspektiva praktike dhe njohuri frymëzuese për largimin e qymyrit në rajonet e tyre përkatëse. Së bashku me Znj. Gojani, në panel ishin edhe: Srestha Banerjee, Drejtoreshë, “Just Transition” Forumi Ndërkombëtar për Mjedis, Qëndrueshmëri & Teknologji, (iFOREST) nga India; María Belarmina Díaz Aguado, Drejtoreshë Gjenerale për Energji, Miniera dhe Reaktivizim në Qeverinë e Asturias, Spanjë; Maciej Sytek, President i bordit të Agjencionit të Zhvillimit Rajonal Konin, nga Polonia e Madhe Lindore, Poloni; Dimitris Ziouzios, Studiues dhe Këshilltar për ICT dhe Mjedis, Fondi për Zhvillim Rajonal nga Maqedonia Perëndimore, Greqi; ndërsa sesioni u moderua nga Robert Pollock, Këshilltar i lartë, Sekretariati i EU Iniciativa për rajonet e qymyrit në tranzicion.

Diskutimi u fokusua të jepte përgjigje për: (i) veprimet që duhen marrë për arritjen e një mobilizimi dhe organizimi efektiv dhe gjithëpërfshirës të tranzicionit të qymyrit në nivel rajonal dhe lokal; (ii) sfidat e rrugëtimit të rajoneve në tranzicion dhe si mund të adresohen ato; (iii) promovimi i tranzicionit në rajonet të cilat janë në fazën e hershme të procesit të tranzicionit apo nuk kanë filluar ende me tranzicion. Znj.Gojani tha se “Ristrukturimi i sektorëve tradicional të rajonit nuk mjafton. Ka nevojë për të lehtësuar dhe mbështetur zhvillimin e aktiviteteve të reja ekonomike, për të nivelizuar ndikimet negative të minierave, për të zhvilluar kapitalin njerëzor dhe social dhe për të rritur cilësinë e përgjithshme të jetës në rajon.” Kur flasim për sfidat e rrugëtimit të tranzicionit rajonal, Znj.Gojani i përmbledhi këto sfida në tre grupe kryesore: ato të natyrës politike dhe  juridike, teknologjike dhe investime, dhe gjithashtu ekonomike dhe shoqërore. Për promovimin e tranzicionit në rajonet që nuk kanë filluar ende ose janë në fazën e hershme të tranzicionit, Znj.Gojani deklaroi se: ”Proceset legjitime të tranzicionit varen nga përfshirja e komuniteteve dhe grupeve të prekura”, ajo gjithashtu tha se “nuk kemi kohë për të humbur në shpalljen e largimit nga karburantet fosile dhe për të siguruar planifikimin e projekteve të investimeve dhe aktivitetet e tranzicionit, të çbllokohen investimet në BRE, të bëhen debate transparente në lidhje me enrgjinë, të përpunohen fushata ndërgjegjësuese publike në nivel kombëtar dhe rajonal, etj”.

Paneli u dakordua se ka qasje të provuara dhe të testuara që mund të lehtësojnë ndryshimin, dhe si të tillë ata që ende nuk kanë filluar nuk kanë kohë për të humbur për transformim. Tranzicioni kërkon plan strategjik dhe vullnet të fortë politik. Në tranzicion nuk ka një formë strategjie që u përshtatet të gjithëve. Tranzicion kërkon përfshirje të punëtorëve, sindikatave, qeverive, komuniteteve dhe OShC-ve.