U mbajt takimi i parë ndërkufitar midis kryetarëve të komunave të Hasit dhe Klinës

16 September 2021

Klinë - Lidhja mes Kosovës dhe Shqipërisë po bëhet më e fortë përmes bashkëpunimit të Komunës së Klinës dhe Komunës së Hasit.

Kryetari i Komunës së Klinës Prof. Dr. Zenun Elezaj dhe Kryetari i Hasit Z. Liman Morina u takuan sot në një takim të përbashkët në Klinë. Ky takim u realizua në kuadër të projektit "GREEN CROSS - drejt ekonomive të gjelbra lokale përmes investimeve inteligjente", i cili mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian, i zbatuar në Shqipëri nga Qendra EDEN dhe Komuna e Hasit dhe në Kosovë nga Komuna e Klinës dhe Balkan Green Foundation.

Dy kryetarët diskutuan mbi zbatimin e projektit, arritjet dhe përfitimet që këto dy komuna do të kenë në mbrojtjen e mjedisit dhe stimulimin e ekonomisë së gjelbër. Për më tepër, zyrtarët nga komuna e Hasit e lavdëruan projektin dhe vunë re kursimet e energjisë që rrjedhin nga projekti, si dhe modernizimin e ndriçimit të qytetit. Në anën tjetër, zyrtarët e komunës së Klinës shprehën mbështetjen e plotë për projektin dhe aktivitetet e tij të ardhshme duke përfshirë investimet në masat e kursimit të energjisë, si dhe përshtatjen e dokumenteve të politikave lokale që do të kontribuonin në përmirësimin e qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të komunës.

Për më tepër, gjatë takimit u ra dakord për të rritur bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave në promovimin e turizmit, mbrojtjen e mjedisit dhe vlerat e përbashkëta që ata ndajnë si komuna.