BGF merr pjesë në Forumin e Inovacionit Shoqëror dhe Forumin Regjional të RISE në Beograd

10 September 2021

Balkan Green Foundation është duke marrë pjesë në Forumin e Inovacionit Shoqëror, ku në të njëjtën kohë po organizohet Forumi Regjional i RISE. BGF është Inkubatori Lokal për Kosovë në kuadër të projektit RISE, i cili synon promovimin e ndërmarrësisë shoqërore në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Forumi i Inovacionit Shoqëror është ngjarje dy-ditore e cila ka filluar dje, më 9 shtator dhe është duke vazhduar edhe sot. Kjo ngjarje po mbahet në KC Grad në Beograd, Serbia.

Të enjten, koordinatori i Projektit në BGF, Shpend Mustafa, ka qenë pjesë e panelit "Ekonomia Shoqërore në Ballkanin Perëndimor", duke diskutuar mbi ndërtimin e ekosistemit mbështetës për ndërmarrjet shoqërore në Ballkanin Perëndimor dhe sfidave me të cilat ballafaqohen organizatat mbështetëse por edhe vetë ndërmarrjet shoqërore. Shpendi potencoi problemin e njohjes ligjore të ndërmarrjeve shoqërore në Ballkanin Perëndimor, ku ende asnjëri nga shtetet nuk ka arritur të ketë një ligj të veçantë për to, e gjithashtu problemi i financave, ekzistenca e fondeve mbështetëse dhe qasja në fondet ekzistuese për ndërmarrjet shoqërore.

Gjithashtu, Shpend Mustafa prezantoi programin Balkan Green Ideas të Balkan Green Foundation, në panelin e "Programet që Mbështesin Inovacionet dhe Ndërmarrjet e Gjelbërta dhe Shoqërore" të mbajtur po ashtu të enjten më 9 shtator.

Sot, BGF është pjesë e panelit "Tako dhe Mëso - Si të fillosh dhe të rritësh biznesin tënd shoqëror" ku pjesëmarrësit mund të bëjnë pyetje rreth temës së "Bizneseve të gjelbërta dhe energjia". Ky aktivitet është i organizuar në formatin e "World Caffee" ku pjesëmarrësit vinë në tavolina të ndryshme, dhe përgjegjësit e asaj tavoline ju përgjigjen pyetjeve të tyre rreth temës së caktuar për tavolinë. Zyrtarët e Balkan Green Foundation në forum, do të ju përgjigjen pyejteve të pjesëmarrësve sesi të fokusohen në bizneset e gjelbërta dhe sektorin e energjisë, siç janë disa nga fushat ku BGF punon dhe avokon më së shumti.

Forumi i Inovacionit Shoqëror (SIF) është konferencë e përvitshme e organizuar në Beograd, Serbi, dedikuar për të prezantuar zgjidhje inovative për sfidat shoqërore, fokusi i së cilës është në fushat sikurse zhvillimi i ndërmarrjeve shoqërore dhe qëndrueshmëria e shoqërisë civile. SIF është pjesë e një iniciative më të madhe për të promovuar dhe inkurajuar ndërmarrjet shoqërore, mbështetjen ndër-sektoriale, dhe gjithashtu fuqizimin afat-gjatë të shoqërisë civile në Serbi.

Projekti RISE - Inkubatori Rajonal për Ndërmarrësit Shoqëror (eng. Regional Incubator for Social Entrepreneurs), beson se të rinjtë e Ballkanit Perëndimor janë të talentuar, plot ide inovatore dhe të etur për t'i arritur ato. Kjo është arsyeja pse ne duam të mbështesim idetë e ndërmarrësisë shoqërore që do ta bëjnë rajonin një vend më të mirë. RISE mbështet krijuesit e rinjë të ndryshimeve në zhvillimin e ideve të tyre me ndikim në biznese të qëndrueshme shoqërore. Programi ynë mbështetës i personalizuar, RISE Journey, zbatohet nga 6 inkubatorë lokalë nga pjesë të ndryshme të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Balkan Green Foundation është Inkubatori Lokal për Kosovë