BGF mbajti punëtorinë e parë kombëtare për Kosovë në kuadër të nismës rajonale 'Smarter Stoves'

30 March 2021

Balkan Green Foundation mbajti punëtorinë e parë kombëtare për Kosovë në kuadër të partneritetit dhe nismës rajonale “Smarter Stoves” (sq. Shporeta më të Mençur), e cila si synim ka të krijojë një dialog publik mbi përdorimin e vjetër të aparaturave ngrohëse në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe ndikimit që ka ky fenomen në ambient duke krijuar ndotje të ajrit.

Në punëtori të ftuar ishin përfaqësues të institucioneve publike të Republikës së Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile, të bizneseve private të ndërlidhura me ngrohjen dhe ambientin, të institucioneve bankare dhe të odave ekonomike në Kosovë.

Pjesëmarrësit paraqitën një analizë të gjendjes në terren dhe masat që janë ndërmarrë deri më tani ku edhe u identifikuan një seri sfidash në këtë sektor. Ata theksuan seriozitetin e situatës së tanishme lidhur me nivelet e ndotjes së ajrit, duke nënvizuar ndërlidhshmërinë dhe ndikimin e lartë të kësaj veprimtarie në cilësinë e dobët të ajrit.

Një seri rekomandimesh të vlefshme për procesin u parashtruan, ku u nënvizua se ka hapësirë për veprim të menjëhershëm për të përmirësuar qëndrueshmërinë e praktikave të ngrohjes në Kosovë por edhe në rajon.

Ndër të tjera, u nënvizua nevoja për harmonizimin e aktiviteteve ekonomike në përputhje me planin kombëtar dhe ndërlidhja në mes planeve kombëtare dhe atyre komunale dhe të kemi një mekanizëm efektiv që shërben si një nxitje për sektorin privat dhe amvisërisë për të zgjedhur praktika më efikase dhe më pak ndotëse.

Gjithashtu u identifikua nevoja për programe të veçanta për të identifikuar alternativat, si dhe programet sociale për të mbështetur kategori të veçanta të shoqëris, por edhe ngritjen e vetëdijes së këtyre sektorëve privat dhe amvisris në mënyrë që të kenë një rol më aktiv dhe kyç në këtë aspekt.

Si përfundim, veprimi i koordinuar i akterëve të shumtë nga nivele të ndryshme u nënvizua si një hap i rëndësishëm për sukses në uljen e emetimeve të grimcave PM nga ngrohja individuale në vend dhe rajon. “Ndërgjegjësimi për këtë çështje është duke u rritur ndjeshëm. Të gjitha palët e interesit duhet të jenë të vetëdijshëm për sfidën dhe situatën. Koha është e duhur për t'u përfshirë në aktivitete të ndërtimit të konsensusit duke mundësuar hartimin dhe zbatimin e zgjidhjeve.” theksoi Besfort Kosova, menaxher i projektit në Balkan Green Foundation.