Shënimi i Ditës Botërore të Energjisë 2020: Rruga e Kosovës drejt tranzicionit të energjisë

22 October 2020

Nevoja për një tranzicion të energjisë është më se e dukshme. Ndikimi i lëndëve djegëse fosile në jetën e njerëzve, mjedis dhe klimë është i pakthyeshëm dhe tranzicioni i energjisë konsiderohet si opsioni i vetëm për të ardhmen.

Përgjatë viteve, Balkan Green Foundation (BGF) ka qenë një nga lobuesit kryesorë drejt promovimit dhe mbështetjes së një tranzicioni të mundshëm dhe të drejtë të energjisë në Kosovë, si dhe krijimin e stabilitetit energjetik. Një nga projektet që vlen të theksohet, të cilin BGF po zbaton me mbështetjen e Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, është projekti "Multi Actor Partnership." Thelbi i projektit është të trajtojë tranzicionin e sistemit energjetik të Kosovës, në veçanti të sistemit elektrik drejt një shteti më të qëndrueshëm, duke zbatuar kështu një vizion për një sistem funksional të energjisë elektrike. BGF vazhdimisht promovon dhe avokon për një bashkëpunim më të fortë midis akterëve të sektorëve të ndryshëm qoftë lokalë ose rajonalë, në mënyrë që të nxitet mbrojtja e mjedisit dhe mirëqenia e përgjithshme e shoqërisë.

Dita Botërore e Energjisë e cila shënohet ndërkombëtarisht, synon të rrisë ndërgjegjesimin në të gjithë botën për çështjet e energjisë dhe rëndësinë e sigurimit të qasjes në energji të përballueshme, të besueshme dhe moderne për të gjitha kombet. Këtë vit, Kosova shënon Ditën Botërore të Energjisë me një aspekt më pozitiv, duke marrë parasysh që planet për ndërtimin e termocentralit "Kosova e Re" janë ndërprerë. Kjo ka paraqitur një fitore për të ardhmen e sektorit të energjisë në Kosovë dhe një triumf të interesit publik në përgjithësi.

Visar Azemi, drejtori ekzekutiv i Balkan Green Foundation deklaroi se Kosova ka detyrime dhe përgjegjësi jo vetëm ndaj Traktatit të Komunitetit të Energjisë por edhe ndaj përmbushjes së synimeve të veta rreth Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE). “Tranzicioni i energjisë është një proces shumëdimensional, andaj politikat që rrisin efikasitetin e energjisë, përshpejtojnë kalimin te burimet e ripërtëritshme dhe ruajnë burimet natyrore duhet të zbatohen. Qeveria e Kosovës duhet të bashkohet me këtë trend të ri global dhe të hapë rrugën për tranzicionin e domosdoshëm të tregut të energjisë në Kosovë ”, tha Azemi.

BGF do të vazhdojë të  kontribuojë drejt zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë, dhe së bashku me partnerët e saj do të punojë për të ndihmuar në hapjen e rrugës për zhvillimin e sektorit të energjisë në vend. Është thelbësore që Kosova të zbatojë marrëdhëniet e saj me partnerët lokalë, rajonalë dhe ndërkombëtarë në mënyrë që të rrisë kontributin e ndërsjellë drejt një tranzicioni gjithpërfshirës të energjisë dhe të promovojë përpjekjet globale të dekarbonizimit.