Marrëveshja e gjelbër për Kosovën - Rinovimi i termocentralit Kosova B

30 January 2020

 Në fillimin e projektit të rinovimit duke zëvendësuar filtrat elektrostatikë të termocentralit të Kosovës B, i cili përbën një nga investimet më të mëdha kapitale në mbrojtjen e mjedisit vitet e fundit në Kosovë; Rinora Gojani, përfaqësuese Balkan Green Foundation mbajti një fjalim për qëndrimin e energjisë dhe mjedisit në vend përpara përfaqësuesve të lartë të BE-së në Kosovë, Josep Borrel dhe Natalia Apostolova. Fjalimi i plotë mund të lexohet më poshtë.

"Si qytetare e Kosovës, shfrytëzoj rastin të falënderoj Bashkimin Evropian për investimet në termocentralin e Kosovës B. Unë gjithashtu ju falënderoj për mundësinë që të flas sot para jush si një grua që ndjek zhvillimet në sektorin e energjisë; dhe si një aktiviste e shoqërisë civile që mbron politika të qëndrueshme në harmoni me mjedisin.

Është për të ardhur keq që në një vizitë kaq të lartë nga Brukseli, dhe në përurimin e një prej projekteve më me ndikim për përmirësimin e cilësisë së ajrit - për qytetarët e të paktën tre komunave fqinje - na gjen pa një qeveri funksionale, edhe pse kanë kaluar më shumë se 100 ditë nga zgjedhjet e tetorit.

Në një botë ideale, pas fjalimeve të zyrtarëve Evropianë për Marrëveshjen e Gjelbër, ne do të duhej të dëgjojmë nga përfaqësuesit e Qeverisë që udhëheqin sektorin e energjisë dhe mjedisit, apo pse jo edhe vetë Kryeministri ose Kryesministria,  të flasim për masa që ata tani janë duke marrë përsipër të afrojnë Kosovën me parimet e kësaj Marrëveshjeje.

Fatkeqësisht, edhe në dritën e këtyre fakteve, shumë politikanë nga të gjitha anët e spektrit politik, ende e shohin ndërtimin e një termocentrali të ri me bazë qymyri si një zgjidhje për problemin energjetik të Kosovës. Termocentrali termik, i cili përtej çdo logjike mjedisore dhe financiare, sipas marrëveshjes së nënshkruar, favorizon plotësisht investitorin privat në dëm të interesit publik dhe konkurrencës së lirë.

Një projekt i tillë është i dëmshëm dhe nuk përkon me të ardhmen Evropiane për të cilën synohet Kosova. Balkan Green Foundation, organizata ku unë punoj, por edhe organizatat partnere me të cilat ne punojmë, i bëjnë thirrje Qeverisë së ardhshme të Kosovës që të tërhiqet nga kjo kontratë. Ne i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që të vazhdojë të jetë aleat me ne, madje edhe më me zë, nëse është e nevojshme, në ndalimin e një projekti kaq të rrezikshëm për të ardhmen dhe mirëqenien e Kosovës.

Kosova, një vend me një GDP për kokë banori, 9 herë më i vogël se mesatarja Evropiane, nuk ka luksin për të investuar në mënyrë disproporcionale në sektorin e energjisë; të vazhdojë të humbas para për arsye politike dhe të ndjek mentalitetin e zhvillimit të stilit të vjetër në kurriz të brezave të ardhshëm.

Si i tillë, Kosova ka nevojë për ndihmën e Bashkimit Evropian për të bërë më shumë presion ndaj Serbisë për të zbatuar Marrëveshjet e Energjisë të arritura në kuadrin e Dialogut Teknik - të filluar 7 vjet më parë. Pamundësia për të zbatuar këto marrëveshje është duke dëmtuar financiarisht Kosovën, integrimin e tregut rajonal të energjisë dhe sundimin e ligjit në veri të Kosovës.

Zgjidhja e kësaj nyje politike jo vetëm që do të zhbllokojë investimin gjerman prej 75.5 milion euro në linjën e transmetimit, e cila aktualisht nuk është në përdorim, përkundër pagesës së kredisë nga taksapaguesit e Kosovës; por gjithashtu do të mundësonte krijimin e një tregu plotësisht të pajtueshëm midis Kosovës dhe Shqipërisë. Ulja e ndikimit të politikës në çështje që duhet të jenë thjesht teknike dhe ekonomike, do të kthente shpresën e shumë prej nesh në potencialin e vërtetë të Agjendës së Lidhjes dhe mundësinë e një bashkëpunimi të mirëfilltë rajonal.

Unë i bëj thirrje Bashkimit Evropian që të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë në Kosovë, dhe maksimizimin e potencialit të efikasitetit të energjisë - një zonë në të cilën BE tashmë ka dhënë kontribute të paçmueshme. Ambiciet mjedisore sigurisht që duhet të shoqërohen me mbështetje teknike dhe financiare për të zhvilluar aftësi të reja për të bërë më të lehtë kalimin në një ekonomi më të gjelbër.

Dështimi për të ofruar ajrit të pastër përbën 'shkelje të së drejtës për jetë, shëndet dhe mirëqenie, si dhe të drejtën për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm'. Uroj që të ndërgjegjësohemi për të vërtetën e kësaj deklarate.

Ne si shoqëri civile nuk do të ndalemi! Ne do të kontribuojmë në hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Energjinë dhe Klimën, do të mbështesim Qeverinë për politikat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe do të jemi kritikë pa kompromis ndaj ideve dhe politikave agresive që janë të dëmshme për mjedisin, dhe e drejta themelore për një dinjitet dhe jetë të shëndetshme për çdo qytetar të Republikës së Kosovës ”.